Secondary Adv

Fondi Social 2026, Rama prezanton 14 shërbime të reja për nënat dhe të moshuarit

Fondi Social 2026 do të financojë 14 shërbime të reja për fëmijët, nënat në nevojë, të moshuarit dhe viktimat e dhunës, me fokus zgjerimin e rrjetit vendor të përkujdesjes.

14 shërbime të reja në 12 bashki dhe në nivel qarku

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale prezantoi 14 shërbime të reja sociale në kuadër të eventit “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Gjatë vitit 2026, Fondi Social do të mbështesë shërbime të dedikuara për fëmijët dhe nënat në nevojë, fëmijët dhe të rriturit me aftësi ndryshe, të moshuarit, gratë dhe vajzat viktima të dhunës, si dhe për fëmijët pa kujdes prindëror.

 

Nga këto, 12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz, ndërsa dy shërbime të reja emergjence dhe linjë këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku.

 

Rama: 65 mijë individë përfitojnë nga sistemi i organizuar i kujdesit

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se në dekadën e fundit sistemi i shërbimeve sociale ka pësuar transformim rrënjësor, duke arritur të mbështesë rreth 65 mijë individë përmes një rrjeti institucionesh dhe pikash shërbimi në nivel qendror dhe vendor. Sipas tij, kjo nuk është thjesht çështje financimi, por funksionim i një sistemi të organizuar me institucione, kujdestarë dhe shërbime të integruara.

 

Ai nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së bashkive në këtë proces, duke e konsideruar pushtetin vendor si kyç për zgjerimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit të përkujdesjes sociale. Rama theksoi se duhet shtyrë më tej përfshirja e familjeve në kujdesin për fëmijët pa mbështetje prindërore, duke krijuar mekanizma të posaçëm financimi në bashkëpunim me bashkitë.

 

Rritje buxheti dhe thellim i decentralizimit

Sipas kryeministrit, buxheti për shërbimet sociale është rritur gjashtë herë që nga nisja e reformës dhe këtë vit është 17% më i lartë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, ai theksoi se buxheti nuk mjafton pa thellimin e procesit të decentralizimit dhe rritjen e cilësisë së jetës në institucionet e përkujdesjes.

 

Rama përmendi edhe nisjen e një projekti në Tiranë për transformimin e shtëpisë së përkujdesjes për fëmijë “Zyber Hallulli” në një fshat përkujdesjeje brenda qytetit, si model për krijimin e hapësirave komunitare me standarde më të larta dhe kushte më dinjitoze për përfituesit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat